Secondary Adv

Qeveria e Kosovës ndan nga 100 eurove për studentët

Qeveria e Kosovës ka ndarë 26 milionë euro për mbështetje sociale dhe arsimore, përfshirë pagesën prej 100 eurosh për studentët dhe bursat e mobilitetit për ata që studiojnë larg vendbanimit.

Qeveria ndan 26 milionë euro për studentët dhe familjet në nevojë

Në mbledhjen e mbajtur sot, Qeveria e Kosovës ka miratuar ndarjen e 26 milionë eurove për mbështetje të studentëve dhe familjeve me të ardhura të ulëta. Vendimi përfshin pagesën prej 100 eurosh për çdo student, si dhe bursën e mobilitetit për studentët e nivelit bachelor që studiojnë larg qytetit ku jetojnë.

 

Sipas njoftimit, ndarja e 100 eurove për studentët do të ketë një kosto rreth 6 milionë euro, e cila do të mbulohet nga Programi i Ringjalljes Ekonomike.

 

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, tha se ky vendim është në përputhje me masat e mëparshme të qeverisë për mbështetjen e të rinjve dhe shtresave të ndjeshme.

 

“Siç e theksuat, kemi të bëjmë me ndarjen e 100 eurove për studentët që plotësojnë kriteret, ngjashëm me masat e mëparshme, dhe ky veprim parashihet të ketë koston rreth 6 milionë euro, që pritet të sigurohen nga Pako e Ringjalljes Ekonomike,” – u shpreh Murati.

 

Ai shtoi se detajet për procedurat e aplikimit dhe datat e ekzekutimit do të bëhen publike në ditët në vijim.

 

Mbështetje e zgjeruar për studentët bachelor

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, njoftoi se përveç pagesës së 100 eurove, studentët e nivelit bachelor do të përfitojnë edhe nga bursa e mobilitetit, e cila do të përcaktohet në varësi të distancës midis vendbanimit dhe universitetit ku studiojnë.

 

“Tashmë e kemi dëshmuar se rritjen ekonomike e ndajmë me qytetarët, sepse kur rritja ndahet, ajo shumohet. Kur zvogëlohet pabarazia në shoqëri, rritet kërkesa agregate në ekonomi. Në kuadër të kësaj ndarjeje të rritjes ekonomike, sot miratojmë vendimin për ndarjen nga 100 euro për të gjithë studentët që i plotësojnë kriteret. Mbështetja për studentët nuk mbaron me kaq — sot miratojmë edhe bursën e mobilitetit për studentët bachelor,” – deklaroi Kurti.

 

Nisma për familjet në nevojë dhe subvencionimin e teksteve shkollore

Qeveria miratoi gjithashtu ndarjen e 1 milion eurove për zbatimin e masës 3.4 të Pakos së Ringjalljes Ekonomike, që parashikon kuponë ushqimi për familjet në nevojë.

 

Ministri Murati theksoi se qëllimi është mbështetja e familjeve me të ardhura të ulëta, veçanërisht gjatë stinë së dimrit.

“Është programi që subvencionon faturën për të gjitha ato familje që kanë të ardhura mesatare për anëtar nën 150 euro në muaj. Gjatë vitit të kaluar kemi pasur mbi 80 mijë familje përfituese. Të njëjtat nuk kanë nevojë të aplikojnë sërish,” – tha ai.

 

Në të njëjtën mbledhje, qeveria ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për ndarjen e buxhetit shtesë për subvencionimin e teksteve dhe materialeve ushqimore për nxënësit.

 

“Është tejet e nevojshme që të përmbyllet ky proces për këtë vit akademik. Si qeveri, jemi munduar të arrijmë te secila familje, por mekanizmat shtetëror janë të kufizuar. Kësisoj kemi bërë ndarjen e shumës prej 1 milion eurosh. Edhe këtë vit programi do të zbatohet gjatë muajve të dimrit, nga tetori deri në mars,” – shtoi ministri.

 

Këto masa synojnë të lehtësojnë barrën ekonomike të studentëve dhe familjeve, duke forcuar njëkohësisht mbështetjen sociale dhe arsimore në Kosovë. /Monitor(https://monitor.al/qeveria-e-kosoves-ndan-nga-100-eurove-per-studentet/)


Më të lexuarat